Numri i infermierëve që po largohen nga Kosova për të punuar në vendet evropiane ka shënuar rënie gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Odës së Infermierëve të Kosovës, gjatë vitit 2026 nga Kosova janë larguar 74 infermierë, numër dukshëm më i ulët krahasuar me vitet paraprake.
Sipas statistikave të OIK-së, gjatë vitit 2025 janë larguar 277 infermierë, në vitin 2024 gjithsej 444, ndërsa në vitin 2023 kishin emigruar 829 infermierë. Po ashtu, në vitin 2022 janë larguar 549 infermierë, në vitin 2021 gjithsej 122, ndërsa në vitin 2020 vetëm 43 infermierë.
Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, ka deklaruar për Indeksonline se arsyet kryesore të largimit të infermierëve mbeten pagat e ulëta, ngarkesa e madhe në punë dhe mospagesa e ndërrimeve të natës dhe vikendeve.
Sipas saj, mungesa e kushteve dinjitoze të punës dhe mos përfshirja e infermierëve në proceset vendimmarrëse vazhdojnë të ndikojnë në dëshirën e tyre për ta lënë Kosovën.
Ndryshe, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Infermierëve. Gori tha se infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë, janë themeli i sistemit shëndetësor dhe mbështetja më e afërt për pacientin.
“Në emër të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të Tjerë Shëndetësorë të Kosovës, shprehim mirënjohjen për secilin profesionist që me përgjegjësi, etikë dhe humanizëm kontribuon çdo ditë në ruajtjen dhe avancimin e shëndetit publik. Kjo ditë nuk është vetëm ditë falënderimi, por edhe moment reflektimi për zhvillimin dhe avancimin e profesionit tonë”, tha ajo.
Gori po ashtu pohoi se gjatë kësaj periudhe, si Odë kanë ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur profesionistët shëndetësorë në aspektin profesional dhe institucional.
Ndërsa thotë se mbeten të përkushtuar në edukimin e profilizuar dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional, duke synuar ngritjen e kompetencave profesionale në përputhje me standardet moderne dhe nevojat reale të sistemit shëndetësor.
Në kuadër të aktiviteteve për 12 Majin, OIK organizoi aktivitet për dhurimin vullnetar të gjakut nga infermierët dhe profesionistët shëndetësorë, si simbol i humanizmit, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj jetës dhe komunitetit.
