Bajrami: Më kumtuan se në listë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e luftuan LDK-në

Hykmete Bajrami ka reaguar pas renditjes së saj si e 12-ta në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për zgjedhjet e 7 qershorit.

Bajrami thotë se është pjesë e listës, sepse LDK-ja është më e madhe se çdo individ, transmeton IndeksOnline.

“Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale” deklaroi Bajrami.

Duke bërë thirrje që të analizohet mirë lista e të votohet LDK-ja, Bajrami shton se beteja e saj është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit.

Ky është reagimi i plotë i saj:

Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Jam pjesë e listës së LDK-së, sepse LDK-ja është më e madhe se çdo individ, më e madhe se çdo rrethanë dhe më e madhe se ata që vijnë e shkojnë.

Prej se jam në politikë, e zgjedhur deputete shtatë herë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Kam qenë këtu në ditë të mira e në ditë të vështira. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik.

Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale.

Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë.

Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston.

Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Lista e LDK-së ka 110 kandidatë. Në mesin e tyre, secili prej jush mund t’i gjejë me lehtësi 10 personalitete, të denjë për t’ju përfaqësuar. Andaj, analizojeni listën dhe më 7 qershor votoni me bindje – votoni LDK!