Lumir Abdixhiku konfirmon unitetin e LDK-së për Vjosa Osmanin

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar mirëseardhjen e Vjosa Osmanit në parti.

Në këshillin e sotëm të LDK-së, Abdixhiku deklaroi se Osmani do të jetë bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për presidente, teksa Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër, shkruan IndeksOnline.

Pas përfundimit të mbledhjes, Abdixhiku tha se më 103 vota, LDK-ja ishte pro kandidimit të Osmanit për presidente dhe bartëse të listës.

Të dy bashkë, Osmani dhe Abdixhiku, nesër do të bëjnë adresimin e parë si të bashkuar për zgjedhjet e 7 qershorit.Ai shtoi se në mbledhje ka mbizotëruar atmosferë bashkëpunimi dhe përpjekje për unifikim të brendshëm.

“Ishte atmosferë pozitive, ishte frymë bashkëpunimi, ishte frymë përbashkimi. Siç e kam thënë, po përpiqemi deri të martën që të bëjmë bashkimin e të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e kësaj gare dhe në këtë drejtim s’kemi përjashtime për askënd. Do të kemi një listë përfaqësuese të zgjeruar”.

Sipas Abdixhikut, LDK-ja po hyn në një moment që ai e quajti historik për subjektin politik.