Në përvjetorin e masakrës në Nabërgjan të Pejës, sot kujtojmë 31 civilët e pafajshëm të vrarë gjatë vitit 1999. Burra, gra e fëmijë, nga mosha 13 deri në 95 vjeç, të pambrojtur e të paarmatosur, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe donin të jetonin të lirë në tokën e tyre.
Ky krim u krye nga makineria shtetërore ushtarake e policore, e ideuar dhe e planifikuar në Beograd nga regjimi i Millosheviqit, me synim shfarosjen e popullit shqiptar. Por plani i tyre gjenocidal dështoi. Populli ynë mbijetoi. Ne jemi këtu, të lirë e fitimtar.
Bashkë me aleatët perëndimorë, Kosova e fitoi luftën dhe u çlirua. Ne po jetojmë në paqe e Republika jonë po zhvillohet e po përparon çdo ditë.
Megjithatë, për paqe të plotë, nevojitet drejtësia. Pa drejtësi, plagët mbeten të hapura.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka forcuar kapacitetet për hetim dhe ndjekje penale. Prandaj edhe sot i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit, në veçanti Prokurorisë Speciale, që të veprojë pa vonesë mbi bazën e dëshmive ekzistuese, që kriminelët të dalin para drejtësisë, qoftë edhe në mungesë.
Sepse e vërteta është në anën tonë, e drejtësia është rruga jonë.
Buzëqeshja e fëmijëve dhe përparimi i Kosovës janë dëshmia e fitores sonë.
Përkujtimi i së kaluarës është zotimi ynë që ajo të mos përsëritet kurrë.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

