Rafuna paralajmëron rrezik për humbjen e fondeve nga BE

02 maj 2026| 09:58

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar rrezik të madh për humbjen e mjeteve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si pasojë e mungesës së institucioneve funksionale për shkak të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme dhe vonesave në realizimin e reformave.

Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ndonëse Kosova ka përfituar 63 milionë euro si parafinancim nga pakoja prej rreth 880 milionë eurosh, pjesa tjetër e fondeve mbetet e kushtëzuar me përmbushjen e reformave.Po ne kemi qenë të paralajmëruar që kemi vonesa. Kosova shteti i vetëm që më së voni e ka ratifikuar marrëveshjen për Planin e Rritjes, me Bashkimin Evropian. Ato janë të parapara rreth 880 milionë. Me rastin e ratifikimit të marrëveshjes Kosova e gëzon të drejtën tani edhe veç është bërë disbursimi i 63 milionëve si parafinancim. Mirëpo shuma tjetër e mjeteve nuk mund të merret pa u bërë reforma. Dhe mungesa e institucioneve, shkuarja në zgjedhje, duke mos e pasë Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa dyshim që ne nuk mund të ecim në hap, nuk mund të bëjmë progres dhe nuk mund ta dëshmojmë që kemi bërë progres për me i marrë mjetet e tjera dhe me i sjellë në vendin tonë. Kështu që, po, shkuarja në zgjedhje, mospasja e institucioneve fuqiplota të Republikës së Kosovës, për shkak Kuvendin s’e kemi, Qeveria është në detyrë, kështu që ekziston rreziku shumë i madh që të humbim një pjesë goxha të madhe të mjeteve”, tha ai.

Kreu i OEK-së shtoi se situata aktuale politike e bën pothuajse të pamundur miratimin e projekteve dhe programeve të nevojshme për përfitimin e fondeve të tjera.