Retkoceri prezanton super-shërbimin e ri në Prishtinë: Mjafton një fotografi dhe mbeturinat largohen FALAS!

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka prezantuar sot një shërbim të ri publik për largimin e mbeturinave vëllimore, duke synuar t’u ofrojë qytetarëve të kryeqytetit një zgjidhje të organizuar, efikase dhe pa pagesë.

Në konferencën për media, Retkoceri theksoi se ky program është krijuar si përgjigje ndaj njërit prej problemeve më të mëdha urbane në Prishtinë — grumbullimit të mbeturinave vëllimore pranë kontejnerëve dhe në hapësira publike.

Ky projekt pason aksionin “48”, të realizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në bashkëpunim me ndërmarrjet publike dhe operatorët e kontraktuar, ku janë pastruar rreth 90% e lokacioneve urbane nga mbeturinat vëllimore.

Sipas komunikatës, gjatë gjithë kësaj periudhe ekipet komunale kanë qenë vazhdimisht në terren, duke dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe duke bashkëpunuar me ta për identifikimin dhe raportimin e rasteve të hedhjes ilegale të mbeturinave.

Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike është bërë e ditur se për më shumë se dy muaj ofrimi i këtij shërbimi kishte qenë i pamundur për shkak të mbylljes së deponisë inerto-vëllimore nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit.

“Megjithatë, pas marrjes së detyrës si Drejtor i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, në bashkëpunim me kryetarin Përparim Rama, kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për krijimin e procedurave ligjore dhe funksionalizimin e sistemit të ri”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të këtij projekti është siguruar lokacioni për pikën tranzitore dhe është përfunduar procedura për pajisjen me leje mjedisore komunale. Paralelisht, është organizuar edhe largimi masiv i mbeturinave nga zonat urbane të kryeqytetit.

Nga sot, qytetarët mund të kërkojnë largimin e mbeturinave vëllimore përmes platformës digjitale mbeturinat.com.

“Procesi është i thjeshtë dhe zgjat më pak se një minutë:

  • Fotografoni mbeturinat
  • Parashtroni kërkesën online
  • Ekipet komunale vijnë në adresën tuaj — pa pagesë

Motoja e këtij shërbimi është: ‘Fotografo. Dërgo. Kryhet.’”

Për realizimin e kërkesës, qytetarët duhet të dërgojnë të dhënat e tyre së bashku me faturën e mbeturinave, për të konfirmuar regjistrimin dhe adresën e saktë të shërbimit.

Aktualisht, ky shërbim do të ofrohet falas për të gjithë qytetarët e Prishtinës, si një investim i drejtpërdrejtë në pastërtinë, rendin urban dhe dinjitetin e qytetit.

Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike është bërë e ditur gjithashtu se në fazën e dytë të projektit, me zgjerimin e shërbimeve dhe konsolidimin e sistemit, do të shqyrtohet mundësia e vendosjes së një tarife minimale, në konsultim të plotë me qytetarët.

Përveç largimit të mbeturinave, projekti synon edhe krijimin e një vlere sociale dhe mjedisore. Objektet që mund të ripërdoren do të restaurohen dhe do t’u dhurohen familjeve në nevojë, ndërsa materialet e riciklueshme do të trajtohen në mënyrë të qëndrueshme.