Autorja e kësaj dosjeje gazetareske është Arisa Bislimi, studente e gazetarisë, e cila përmes këtij hulumtimi sjell një pasqyrë mbi jetën, kontributin dhe trashëgiminë e Hyre Eminit.
“Gjithmonë e ka përmend që kanë fat ata njerëz që bien dëshmorë për vendin e tyre”- Kështu e fillon intervistën mbesa e saj(Majlinda Emini Qabaj) duke e kujtuar hallën e saj, që për vite me radhë ishte pranë në ditët më të rëndësishme të jetës së saj. Për Majlindën, Hyra nuk ishte vetëm hallë. Ishte shoqe, mbështetje dhe figura me të cilën ishte lidhur më shumë se me këdo tjetër në familje.

Sheshi në Ferizaj, një rrugë në Prishtinë dhe shtatorja e ngritur në Ferizaj në vitin 2017 nga Kuvendi i Kosovës janë disa nga mënyrat se si vazhdon të nderohet Hyrë Emini, veprimtarja, e burgosura politike dhe luftëtarja që mori pjesë në tri luftëra shqiptare. Më shumë se dy dekada pas rënies së saj, emri i Hyrë Eminit vazhdon të jetë i pranishëm në jetën publike.
Hyrë Emini ishte veprimtare e çështjes kombëtare, e burgosur politike dhe një nga gratë nga Ferizaj që u angazhua në aktivitetet patriotike gjatë viteve 90.Ajo nuk ishte e martuar dhe nuk kishte fëmije ishte e arrestuar nga pushteti serb për shkak të veprimtarisë së saj, të cilën e vuajti në burgjet e Lipjanit më pas në burgun e Pozharevcit. Pas lirimit vazhdoi studimet, ndërsa më vonë u përfshi në zhvillimet që shënuan fundin e viteve ’90 dhe fillimin e viteve 2000. Më 29 korrik 2001 humbi jetën në Maqedoni.

“Ku ka shku ajo, kom shku edhe une. Kam nejt me të në bibliotekë, në ligjërata, kam dal edhe me studentë nga Kosova. Edhe pse e kishim diferencën në moshë afro 10 vjet, lidhja jonë ka qenë shumë e fortë”, tregon mbesa e saj.
Historia e saj është histori e një vajze që jetën ia kushtoi idealit për liri. E lindur më 21 korrik 1973 në Ferizaj, Hyra u rrit me një familje ku ishte fëmija i katërt i familjes, me dy vëllezër dhe një motër. Që në bankat shkollore vërehej se ishte ndryshe nga të tjerët. Recitimet e saj patriotike bëheshin me një emocion të rrallë,
Profesori i saj Ramadan Baliu, kujton se Hyra ishte nxënëse e dalluar dhe shumë e lidhur me çështjen kombëtare.“Kur recitonte poezi patriotike, e vërenim që ishte e veçantë. Kishte ndjenja të forta patriotike qysh si fëmijë”, thotë ai.

Pas përfundimit të shkollës së mesme ekonomike në Ferizaj, Hyra regjistrohet në Universiteti i Prishtinës, në degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Por jeta e saj nuk do të mbetej vetëm mes librave dhe auditorëve.Në vitin 1994 arrestohet nga pushteti serb si organizatore e “Flakës së Janarit”, një aktivitet patriotik që në atë kohë organizohej në mënyrë ilegale. Dënohet me burg dhe dërgohet fillimisht në Lipjan e më pas në burgun e Pozharevcit.Për shqiptarët e asaj kohe, Pozharevci ishte sinonim i vuajtjes dhe torturës për të burgosurit politikë.Pas lirimit nga burgu, në vitin 1995 shkon në Tiranë, ku jetonin edhe dy vëllezërit e saj. Atje vazhdon studimet, por idealin për liri nuk e ndal as jeta studentore.Në maj të vitit 1998, pasi përfundon provimin e fundit në fakultet, lë gjithçka dhe niset drejt Kosovës për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Pas luftës në Kosovë bëhet pjesë e TMK-Trupave mbrojtës të Kosovës, ndërsa më pas përfshihet edhe në UÇPMB-Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Por rruga e saj nuk përfundoi aty.
Në maj të vitit 2001, Hyra niset drejt Maqedonisë dhe i bashkohet UÇK-së, ku lufton përkrah komandantit Tahir Sinani .Endrra e saj ishte një: çlirimi i të gjitha trojeve shqiptare.Më 29 korrik 2001, gjatë përgatitjes së një bombe, ndodh një shpërthim ku bien dëshmorë , dhe Familja lajmin për rënien e saj e mori një ditë më vonë nga
ushtarët e TMK-së.
“Ishte lajm shumë i rëndë për familjen. Sidomos sepse në atë kohë po pritej që lufta në Maqedoni të përfundonte”, kujton mbesa e saj.
Por edhe pas vdekjes, emri i Hyrës vazhdoi të jetojë.
Për familjen, këto vlerësime që janë bërë kanë qenë shumë domethënëse.
“Na kanë bo me u ndi mirë. Dhimbja për të është gjithmonë aty, por krenaria është më e madhe se dhimbja për të”, thotë mbesa e Hyres. Në shkollat e Ferizajt, nxënësit vazhdojnë të dëgjojnë për Hyrën që nga bankat e shkollës përfundoi në vijat e frontit.Profesori i saj thotë se sakrifica e njerëzve si Hyra nuk duhet të mbetet vetëm histori.
Për figurën e saj janë kënduar këngë dhe emri i saj vazhdon të përmendet në përvjetorë, akademi përkujtimore dhe aktivitete kushtuar dëshmorëve.. Këngëtarja Shkurte Fejza i ka kushtuar asaj një këngë, në të cilën përshkruhet rruga e saj jetësore dhe angazhimi për çështjen kombëtare.Në vargjet e këngës përmenden disa nga qytetet ku ajo ka jetuar dhe vepruar, si dhe ideali i saj për liri dhe bashkim.
“Aty është Hyrë Emini,
krenaria gjithëkombëtare.”
E siguruar nga familjarja e saj
Kënga është bërë pjesë e aktiviteteve përkujtimore dhe përdoret shpesh në ngjarje kushtuar figurave të luftës dhe dëshmorëve.
Për familjen,Hyra mbetet halla,motra dhe personi që u mungon çdo ditë.Kjo ishte Hyrë Emini,gruaja me fat siç e kishte përmend edhe ajo gjatë gjithë kohës;”Fat kanë ata që bien dëshmorë për vendin e tyre”.

