KPK-ja kërkon nga partitë politike t’i shmangin deklaratat që cenojnë institucionet e drejtësisë

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që, gjatë fushatës zgjedhore, të tregojnë përmbajtje në deklaratat dhe retorikën e tyre publike, duke shmangur përdorimin apo nxitjen e çështjeve që lidhen me sistemin prokurorial në përgjithësi dhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës në veçanti.

Në reagimin e tij, KPK-ja thekson se përdorimi i temave që kanë të bëjnë me institucionet e drejtësisë për qëllime politike apo elektorale cenon imazhin e tyre dhe dëmton besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit, si dhe në funksionimin e pavarur të sistemit prokurorial.

“KPK-ja mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, në mbrojtjen e pavarësisë së sistemit prokurorial dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e KPK-së.