Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas kërkesave të disa degëve për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, kanë nxitur reagime dhe analiza të shumta në opinionin publik
Në një prononcim për Gazetën Infokus, analisti Blerim Burjani ka komentuar zhvillimet e fundit brenda LDK-së, duke thënë se kohëve të fundit janë shtuar zërat që e përmendin Perparim Ramën si një lider të mundshëm të partisë, ndonëse sipas tij një gjë e tillë mbetet e paqartë.
“LDK është kaherë në krizë prej kohës së Isa Mustafës. Tash disa zëra kanë filluar të rriten në LDK sidomos prej mediave se Perparim Rama mund të jetë lider i ri i LDK, gjë që nuk dihet njëherë për njëherë. Ai as anëtar i LDK nuk është”, deklaroi Burjani.-Advertisement-
Megjithatë, sipas tij, problemi i LDK-së nuk zgjidhet vetëm me emrin e kryetarit, por kërkon një reformë të thellë të brendshme.
“LDK ka nevojë për një reformë të plotë të brendshme. Mjafton të shikosh kush bëhet deputet. Kur një palë njerëz rrotullohen apo riciklohen pa ndal në cilësinë e deputetit, atëherë aty nuk ka gjë më.
Pa ndryshuar kryetarin mundet nëse veç ka konsensus të brendshëm që të kandidohen njerëz të ri në pozita udhëheqëse të LDK. Një gjeneratë më e re do të ishte mirë, edhe me u ndal do njerëz të riciklum për vite në cilësinë e deputetit. Ata më së shumti po i bëjnë dëm këtij subjekti politik, nuk e ka lanë me u rritë”, tha ai.
Burjani vlerëson gjithashtu se debati i hapur që po zhvillohet aktualisht nuk i shërben LDK-së.
“Debati i hapur është i dëmshëm për këtë parti politike, edhe ky debat ende nuk është i përgjithshëm por i veçantë për disa degë të pakta dhe për disa individë. Pakënaqësia duhet të manifestohet ndryshe. Kur mbi 50% e degëve e parashtrojnë një kërkesë të ngjashme në formë legale, atëherë mund të hapet një temë e tillë. Kështu kjo krizë duket se është jo e mjaftueshme për të shkuar në zgjedhje”, tha Burjani.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, edhe nëse një emër tjetër do të ishte në krye të LDK-së, rezultati zgjedhor nuk do të ndryshonte.
“Po edhe ata të ishin në vend të Abdixhikut rezultati do të ishte i ngjashëm, pa kurrfarë ndryshimi, andaj kjo nuk çon ndonjë peshë politike, pra nuk ka gjë prej kësaj pune”, u shpreh Burjani.
Pavarësisht kësaj, Burjani thotë se në opinion dhe media tashmë kanë nisur të përmenden emra të rinj për të ardhmen e LDK-së, ndër ta edhe ai i Perparim Ramës.
Perparim Rama është një nga emrat që kohëve të fundit është përfolur si figurë e mundshme për të marrë një rol më të madh brenda LDK-së, në një kohë kur debati për të ardhmen e partisë është intensifikuar.
Mbetet të shihet nëse zhvillimet e fundit do të sjellin ndryshime në strukturat drejtuese të LDK-së apo debati do të mbetet vetëm në nivel diskutimesh.
