Radojeviç për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit: Ka nisur fushata, Kurti po godet veriun e Mitrovicës

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ka reaguar lidhur me projektin e paralajmëruar për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, duke e cilësuar atë si pjesë të një fushate politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti

Në një deklaratë për media, Radojeviç tha se fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare tashmë ka filluar dhe, sipas tij, Kurti po ndërmerr veprime të shtuara politike të fokusuara në Mitrovicën e Veriut.

Sipas tij, nuk ka pasur asnjë konsultim me komunën për projektin e rindërtimit të Xhamisë së Ibrit, duke shtuar se kjo çështje është shumë e ndjeshme për banorët e kësaj pjese të qytetit, veçanërisht për komunitetin serb.

Ai ngriti edhe shqetësimin pse, sipas tij, nuk ka të njëjtin angazhim për projekte të tjera, siç është rindërtimi i varrezave ortodokse serbe në jug të Mitrovicës apo vendosja e kambanave në një kishë në atë pjesë të qytetit. Radojeviç akuzoi Kurtin se politika e tij është e orientuar kundër serbëve, duke pretenduar se ajo bazohet në “shkatërrim dhe dëbim”.

Ai gjithashtu theksoi se Komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetenca të përcaktuara me ligj dhe kërkoi që ato të respektohen, duke kundërshtuar ndërhyrjen e nivelit qendror në çështje që, sipas tij, i takojnë pushtetit lokal.Në fund, ai paralajmëroi se do të kërkojë reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, duke theksuar se veprime të tilla nuk ndihmojnë në ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve.

Ndryshe, në vendin ku dikur ndodhej Xhamia e Ibrit, aktualisht janë ndërtuar terrene sportive.